I duheshin “vetëm” 25 pikë për t’u bërë lojtari më i ri në historinë e NBA-së që arrinte 30 000 pikë në karrierë. Edhe pse përballë ishte Oklahoma, Lebron Xhejms ndoshta kishte besim pasi ato pikë shpesh i ka “punë fëmijësh”, aq më tepër që luante në Arenën e Klivlendit. Gjithçka shkoi ters dhe a mund të ndodhte ndryshe kur katër yje të kundërshtarëve kishin “lidhur besën” për të qenë të shkëlqyer?
Lebron shënoi vetëm 18 pikë dhe duhet të presë ende që të kalojë Kobi Brajantin, si më i riu në histori me 30 000 pikë, ndërsa përballë tij ishin të jashtëzakonshëm Rasëll Uestbruk, Pol Xhorxh, Karmelo Entoni dhe Stiven Adams.
Uestbruk ishte fare afër një tripëll dabëlli të veçantë, me 23 pikë, 20 asistë dhe 9 topa në tabela. Iu desh vetëm një top për t’ia dalë. Xhorxh shënoi 36 pikë dhe kapi 7 topa në tabela, Entoni shënoi 29 dhe kapi 10 topa në tabela, ndërsa Adams shtoi 25 pikë dhe gjithashtu 10 topa në tabela.
Përfundimi i ndeshjes në Klivlend ishte 148-124 për Oklahomën dhe pa pasur nevojë për kohë shtesë. Kavaliersët pra nuk kishin fare mbrojtje. Ajsajah Tomas ishte i vetmi që mundi të bënte diçka duke shënuar 24 pikë, dhe deri diku Xho Kraudër (17 pikë), por Klivlendi është në pozicion shumë të vështirë, në rrezik për të humbur edhe vendin e tretë në Lindje. Trajneri Tajron Lu flitet se mund të shkarkohet, por a do të ndryshonte gjë për nënkampionët e NBA-së?
Sfidanti.al