Napoli, Lacio, Milan, të mëdhenjtë po qeshin në Serinë A

Nuk bën shaka Napoli, po ashtu nuk tallet as Lacio, ndërsa Milani po fillon të duket me karakterin e një skuadre të Gatuzos. Kjo është treshja e lumtur e javës së 21-të të Serisë A, ku më mirë ndihen napolitanët e trajnerit Sarri, që triumfuan as më pak e as më fushë, por në vetë fushën e Atalantës.

Elseid Hysaj fitoi duelin shqiptar me Etrit Berishën, ndërsa suksesin ia dha goli i Mertensit, me top të shërbyer nga Kajehon. Napoli ka 54 pikë, me statistika të shkëlqyera, 17 fitore e vetëm 1 humbje në Serinë A, plus 45 gola të shënuar.

Gjithsesi, napolitanët realizojnë më pak sesa ndonjë tjetër dhe nuk flitet vetëm për Juventusin. Është Lacio tashmë që ka shpërthyer fort. Me 5 rrjetat në portën e Kievos në “Olimpiko”, kryeqytetasit arritën në kuotën 53 gola si skuadër, mbi këdo tjetër në Itali. Edhe përsa i përket pikëve, formacioni i trajnerit Inzagi është shumë mirë dhe zona Champions duket krejtësisht e arritshme.

Po Milani? Fitore e madhe dhe e vogël në Kaljari. E madhe sepse u arrit jashtë fushe, me përmbysje, dhe nga një skuadër që nuk ka ditur të bëjë dy suksese bashkë këtë sezon. Milani më në fund po duket si ekip i trajnerit Gatuzo, ndërsa Kesi nisi të bënte atë për të cilën u mor nga Atalanta, duke shënuar të dy golat në triumfin 2-1. Sidoqoftë, Milani është tepër larg vendeve të rëndësishme në renditje, i distancuar edhe nga zona e Ligës së Europës, ndaj fitoret ende mund të quhen të vogla.

Sfidanti.al