Jo rastësisht e përzgjodhën si Babagjyshin e festave. Armando Broja jo më kot ishte me kapuçin në kokë ndërsa në Britaninë e Madhe kremtohen Krishtlindjet, dhe statusi i tij në Premier Ligë është më i mirë se kurrë. Trajneri i Sauthemptonit, Ralf Hazenhytl, i bëri komplimenta sulmuesit shqiptar në prag të ndeshjes së të dielës në kampionat ndaj Uest Hemit, ndërsa kujton shkëlqimin e Brojës në vetëm 16 minuta në ndeshjen e fazës së parë ndaj ekipit londinez, kur goditi shtyllën, dhe thuajse shënoi me kokë.
“E kujtoj atë ndeshje, – thotë austriaku, – dhe ai pati disa mundësi atëherë. Ai është shumë i mirë si zëvendësues, por gjithashtu ka treguar disa herë se është i zoti edhe kur luan nga minuta e parë. Ai ka 4 gola në kampionat, në pak ndeshje si titullar, një mesatare shumë e mirë ndershmërisht. Ai përfitoi nga dëmtimi i Çe Adamsit, dhe e shfrytëzoi rastin duke ndihmuar ekipin. Kështu duhet të bëjë një talent i ri”.
Nuk dihet nëse Broja do të jetë sërish në formacion në ndeshjen e “Ditës së Kutive Bosh”, siç quhet kjo e diel në Angli, por gjithsesi, ai e ka bërë të vetën deri tani. Me 4 gola në 6 ndeshje në Premier, ai është 20-vjeçari më i mirë i sezonit, ndërsa me 6 rrjeta në të gjithë konkurrimet, është shënuesi më i mirë i Sauthemptonit. Kjo, edhe pse është shumë i ri, ka luajtur pak herë titullar, dhe është vetëm në sezonin e dytë në nivelin e ekipeve të të rriturve, vjet me Viteshen në Holandë, dhe këtë vit me Sauthemptonin në Premier Ligë.
Sfidanti.al