Laporta sulmon Kumanin për Suarezin dhe thotë se po shesin Mesin!

Kaq ka zgjatur telefonata e trajnerit të ri me sulmuesin e vjetër. Nuk do të donim të përdornim shprehjen “u rrit kungulli e na zuri gardhin” sepse Ronald Kumani është një “kungull” që ka qenë tek Barcelona që nga 1990-ta, veçse ajo që ka bërë me Luis Suarezin nuk i ka aspak hije. Mediat njoftojnë se tekniku holandez e informoi uruguajanin, se nuk e kishte në planet e tij, nëpërmjet një bisede telefonike që zgjati vetëm 60 sekonda! Kaq pak kohë e përkushtuar për sulmuesin që ka shënuar 200 gola deri tani për katalanasit, që ka fituar 4 tituj e 1 Champions, dhe që ka qenë shpirti i skuadrës dhe krahu i djathtë i Lionel Mesit.

Ish-presidenti Zhoan Laporta, që ndoshta mund të jetë kandidat sërish në zgjedhjet e 2021-it, nuk ia kurseu sulmet Kumanit. “Kjo që bënë me Suarezin është një veprim burracakësh, – u shpreh ai, – dyshoj se duan që të largojnë Mesin. Si mund t’i thuash Suarezit “largohet” nëpërmjet telefonit? Nëse shesin Mesin do të ishte një gabim historik. E varfra Barcelonë në duart e kujt ka rënë”.

Sfidanti.al