Lajpcigu ëndërron që Dortmundi t’i japë titullin ndaj … Bajernit

Një duel Levandovski- Haland, apo më saktë Mynih-Borusia, mund të ndikojë shumë në garën për Bundesligën. Bajerni pret Dortmundin dhe, edhe pse është favorit, ekziston rreziku për një “rrëshqitje” siç i ka ndodhur disa herë këtë sezon. Derbin e Gjermanisë e pret me interesim Lajpcigu dhe trajneri Julian Nagelsman. Kjo, sepse skuadra nga lindja e Gjermanisë është vetëm 2 pikë prapa bavarezëve në renditje me 50 pikë ndaj 52 dhe mund të përfitonte nga çdo gabim i kampionëve. Lajpcigu është kthyer sërish në një pretendent për titull siç ishte deri diku edhe vjet, madje edhe më bindshëm. Mediat gjermane vlerësojnë trajnerin Nagelsman se përballoi humbjen e dy prej lojtarëve më të mirë si Timo Verner dhe Patrik Shik, duke riorganizuar skuadrën. Sot, dyshja që jep shpresë është ajo e përbërë nga Aleksandër Sorlot dhe Jusuf Poulsen (në foto). Ekipi i Red Bullit është edhe në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë ku Bajerni është i eleminuar, por ndoshta nuk do të vazhdojë dot në Champions pas humbjes 0-2 me Liverpulin.

Sfidanti.al