Lionel Mesi po bisedon me Barcelonën për një rinovim kontrate përjetë. Ky është lajmi i madh që vjen nga Spanja, dhe që shoqërohet me hollësitë se presidenti katalanas, Bartomeu, ka pasur kontakt me babanë e yllit argjentinas. Shumë spekullime ka pasur këto ditë për të ardhmen e Leos, diçka që i ka shqetësuar pa masë tifozët barcelonistë, por duket se po i del fjala Zhoze Murinjos, që kishte parashikuar se “Mesin nuk e mendoj dot larg Barcelonës”. Kontrata e tanishme e numrit 10 përfundon në 2018, vërtet tepër shpejt, dhe nuk është shumë e qartë se përse palët janë vonuar kaq shumë për të rinovuar.
Katalanasit, gjithsesi, kurrë nuk kanë menduar ta humbasin 29-vjeçarin që ka qenë katalizatori kryesor i sukseseve të tyre në 10 vitet e fundit. Bisedimet pritet të nisin pas “El Klasikos” së javës së ardhshme, ndërsa pritet që klubi t’i ofrojë yllit kryesor të botës një pagë të ngjashme, ose ndoshta më të madhe sesa Kristiano Ronaldo.