Lacio nuk heq dorë nga Kumbulla, por sa larg duket akordi!

Sezonin që vjen duhet të luajë në Champions, pra i duhet një skuadër më e fortë. Trajneri i Lacios, Simone Inzagi, këmbëngul tek drejtuesit e klubit që të mos ngurrojnë për të shpenzuar këtë verë, pavarësisht nga vështirësitë, dhe njëri nga objektivat që duhet arritur është Marash Kumbulla. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, vlerësohet si alternativë shumë e rëndësishme për një skuadër që, javët e fundit, ka humbur shumë nga shkëlqimi i saj, ndërsa Inzagi ankohet se nuk ka skuadër me thellësi të mjaftueshme.

Lacio mësohet si e ka rritur ofertën për Kumbullën, deri në 20 milionë euro, plus edhe një lojtar, Andersonin, por mediat italiane shkruajnë se klubi veronez ende nuk është bindur. Me gjasë, Verona kërkon të fitojë kohë për 20-vieçarin sepse atë e kërkon me ngulm edhe Interi, pra vlera e kartonit mund të rritet. Nuk është sekret që që veronezët shpresojnë të nxjerrin një fitim më të rëndësishëm, rreth 30-35 milionë euro.

Pavarësisht interesimit të Interit, Lacio duket më shumë në nevojë për Kumbullën, sepse nuk ka një skuadër me numër të mjaftueshëm lojtarësh për të përballuar ngarkesën e sezonit të ardhshëm. Kryeqytetasit do të luajnë në Serinë A dhe në Champions, po ashtu në Kupën e Italisë, ndërsa shumë futbollistë janë pjesë e kombëtareve të vendeve të tyre, pra do të ketë ndeshje çdo tri ditë, si dhe udhëtime të shumta. Për këtë arsye, Lacio është më shumë e gatshme për të bërë sakrifica për përforcimet, përfshi edhe Kumbullën.

Sfidanti.al