Edhe tifozi më i verbër i Junajtidit do pranonte se ajo ishte penallti!

Do të ishte dëshpërim i thellë nëse nuk do t’i dilej mbanë për fare pak. Mançester Junajtid me siguri do t’i qajë shumë dy pikët e humbura në sekondat e fundit me Sauthemptonin, ndërsa mund të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve vetëm për pak gola diferencë. Në ndeshjen e tretë nga fundi në Premier Ligë, ekipi i Ole Gunar Solskjerit fitoi 2-0 në fushën e Kristël Palasit, me golat e shënuar nga sulmuesit Rashford e Marsial, por mbeti në vend të pestë.

Ishte gjithsesi një ndeshje e shenjuar nga polemikat, pasi londinezët kërkuan me të drejtë një penallti, kur Lindelof rrëzoi në zonë sulmuesin Zaha, por gjyqtari nuk akordoi gjë dhe VAR-i nuk ndërhyri (ndërhyri, ama, për t’i anuluar një gol Kristël Palasit, që do të kishte barazuar rezultatin). “Edhe tifozi më i verbër i Mançester Junajtidit e di se ajo ishte penallti”, – u shpreh presidenti i Palasit, Stiv Parish. Me këtë deklarim u detyrua të binte dakord edhe ish-ylli i Junajtidit, sot analist, Rio Ferdinand.

Junajtid i ka “në fije të perit” shpresat për të shkuar në Champions sezonin e ardhshëm, pasi Çelsi ka një pikë epërsi në vend të tretë, dhe Leisteri është në vend të katërt me golaverazh më të mirë (+4 mbi “djajtë e kuq”).

Sfidanti.al