Le të ketë konflikte mes trajnerit Mauricio Sarri dhe drejtorit sportiv Igli Tare. Çdo gjë pranohet vetëm që ekipi të fitojë në fushën e lojës, dhe duket se ajo që në Angli e quajnë “Sarri-boll” (Sarri-ball), pra loja me top e Sarrit, po bëhet stili i Lacios. Kryeqytetasit arritën fitoren më të madhe të sezonit, një 1-0 i vogël veçse i jashtëzakonshëm në stadiumin “Maradona” të Napolit, ndaj ekipit më të mirë të Italisë (me diferencë) dhe njërit prej më të mirëve të Europës.
Një gol i Matias Vesinos në pjesën e dytë (67’) vulosi fatin e një sfide të Serisë A ku vendasit dominuan mbajtjen e topit dhe goditjet e këndit, por Lacio pati thuajse po aq gjuajtje (5-4 për napolitanët), si dhe patën më shumë në kuadrat (3-1). Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ishte titullar në krahun e majtë të repartit difensiv duke luajtur 90 minuta të plota bashkë me shtesat. Me këtë sukses, lacialët e Sarrit kanë 48 pikë në vend të dytë, duke dalë përkohësisht mbi skuadrat milaneze, dhe sigurimi i zonës Champions duket më i mundshëm. Napolit natyrisht kjo humbje nuk i prishi asnjë punë, por thjesht i kujtoi se asnjë ndeshje nuk fitohet pa u luajtur në fushë.
Sfidanti.al