Ky Zidani qenka i vetmi për të ndryshuar skemat e Realit!

Një lojtar i madh, nëse ka edhe të dhënat për t’u bërë trajner, padyshim që e ka më të lehtë. Zinedin Zidan u vu në dyshim kur u ul në stolin e Realit në janar 2016, duke zëvendësuar Benitezin, por fitoi tre Champions radhazi në 2017, 2018 e 2019 si dhe La Ligën në 2017. Gazeta “Marka” shkruan se francezi është duke u kthyer gjithnjë e më shumë në një trajner me përvojë, dhe sidomos me larmi të madhe.

Në ndeshjen e fundit, ndaj Majorkës, ai e la mesfushën me vetëm 2 lojtarë (Kasemiro ishte i pezulluar), ndërsa luajti me 4 sulmues si Benzema, Hazar, Bejl e Vinisius. Në 2017, Zidan “shpiku” “Ekipin B”, që luajti në shumë ndeshje të kampionatit, duke i zbardhur faqen teknikut në stadiume të vështirë si “Riazor” apo “El Molinon”, ndërsa titullarët bashkë me treshen Ronaldo-Benzema-Bejl luanin në Champions. Atë sezon, u fituan të dy trofetë e mëdhenj. Zidan luajti me 4-3-3, por edhe me 4-4-2, duke alternuar Iskon me Bejlin, ndërsa ndaj Majorkës pati një 4-2-4. Në 203 ndeshje si trajner ka përdorur 179 variante të ndryshëm, por ka arritur 134 fitore, duke qenë i dyti në historinë e Realit, pas Munjozit.

Sfidanti.al