Ky qen e pati momentin e tij, as një portier nuk do ishte më i mirë

Thuhet se qeni është miku më i mirë i njeriut, por gjithsesi, më pas duhet pyetur, se për cilët njerëz e kemi fjalën. Kjo, sepse ajo që bëri një qen në kategorinë e tretë të Argjentinës, ishte “miqësi” për disa, dhe “armiqësi” për disa të tjerë. Po luhej ndeshja Huventud Unida-Defensores, ku papritur një qen jo edhe aq i madh, hyri në fushë.

Ai vrapoi si i hutuar dhe kaloi përpara vijës fatale të portës mike, pikërisht në momentin kur një lojtar vendas gjuajti për të shënuar. Topi u përplas në trupin e qenit dhe ndërroi drejtim, kështu që Defensoresi shpëtoi pa e pësuar golin e katërt (ndeshja ishte 3-0). Me shumë gjasë, qeni u tremb shumë pasi e mendoi si përpjekje për t’i gjuajtur e për t’i bërë keq, por më i madh ishte zemërimi i lojtarëve vendas, të cilëve u shkoi mundimi kot për shkak të një … qeni!

Mediat sportive në të gjithë botën bënin shaka duke thënë se “vërtet që pritja e qenit nuk ndikoi në rezultat, pasi ndeshja përfundoi 3-0, por çfarë mund të kishte ndodhur nëse qeni do të kishte qenë në fushë për 90 minuta?!”

Sfidant.al