Kush ka fuqi të luajë në zinë për Kobin? Humbasin Lebroni e Lejkërsat!

Rezultati i ndeshjes ishte krejtësisht në plan të dytë, edhe pse ishte një ndeshje që vlente për renditjen. Për të dytën mbrëmje radhazi, Arena e famshme “Stejpëlls Sentër” në Los Anxhelos përjetoi humbjen e një skuadre të shtëpisë, me Lejkërsat që u mposhtën nga Portlendit. Më herët, ishin Klipersat që u dorëzuan ndaj Sakramentos, por gjithçka është e kuptueshme sepse këto janë ditë zie për Kobi Brajantin.

Lejkërsat, skuadra e karrierës e Kobit, organizoi një ceremoni madhështore, duke vendosur fanelën me numrin 24 në çdo ulëse të sallës me kapacitet 20 000 vende. Numrat e Brajantit, 8 dhe 24, u vendosën në parket në formën e kurorave të luleve, ndërsa efektet e ndriçimit ishin kuptimplotë. Lebron Xhejms mbajti fjalimin e tij duke premtuar se “unë do të luaj për ta çuar përpara trashëgimin e Kobit për aq kohë sa të jem në basketboll”.

Gjatë ndeshjes, Lebroni e mbajti fjalën pasi luajti shumë mirë, duke shënuar 22 pikë, kapur 8 topa në tabela e shërbyer 10 asiste, fare pranë një tripëll dabëlli. Nderim të plot i bëri Kobit edhe Entoni Dejvis që realizoi 37 pikë, kapi 15 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, ndërsa i dalluar ishte lojtari tjetër i Lejkërsave, Kajl Kuzma me 17 pikë e 15 topa në tabela. Portlendi fitoi 127-119, duke pasur në radhët e tij të jashtëzakonshmin Damian Lilard, më të mirin lojtar në fushë, që realizoi 48 pikë, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 10 asistë.

Sfidanti.al