Një shpërthim që besohet se e dëgjoi gjithë bota. Ishin mijëra tifozë në stadiumin e Nantës që lajmëruan se skuadra e tyre, Les Herbier, u kualifikua për në finalen e Kupën e Francës, në një tjetër mrekulli të futbollit. Festim madhështor, i ngjashëm me vallen e vikingëve të Islandës pas triumfeve të mëdhenj në Euro 2016.
Les Herbier fitoi duelin brenda kategorisë së tretë ndaj rivalit Keviji, dhe do të luajë për trofeun e madh në 8 maj në Stadë dë Frans në Paris. Një klub me vetëm 2 milionë euro buxhet, do të përpiqet të sfidojë superfuqinë jo vetëm të Francës, por edhe të Europës, Paris SG, që ka buxhet prej 540 milionë eurosh. Les Herbier ia doli me meritë në “Stadë dëla Bozhua”, duke shënuar nga një gol në çdo pjesë loje, me autorë Florian Davidin dhe Ambruaz Gobonë.
Formacioni modest realizoi vërtet një mrekulli, por këto nuk kanë qenë edhe aq të rralla në Kupën e Francës. Në 2012, në finale u kualifikua pikërisht rivali i mundur këtë herë, Keviji. Në Les Herbier qytetarët patën festë të madhe, duke dalë nëpër rrugë, familjarisht, e të shoqëruar nga fëmijët. Tashmë, krahina e Vandesë, e njohur si bastion kundër Revolucionit të Madh Francez, do të mbahet mend edhe për fitoret në futboll.
Në gjysmëfinalen tjetër, Paris SG bëri detyrën, edhe pse luajti në fushën e kundërshtarëve të Kaenit. Kilian Mbape ishte autor i dy golave, ndërsa Nkunku shënoi të tretin në një përballje jo edhe aq të lehtë, ku vendasit shkurtuan diferencën me anë të Diomandesë dhe luftuan deri në fund. PSG do të synojë të fitojë trofeun e tretë kombëtar, pas titullit kampion dhe Kupës së Ligës.
Sfidanti.al