Nuk ishte vetëm ai në fushë, por është një nga sulmuesit kryesorë. Memfis Depai me siguri e ka kënaqur trajnerin e Barcelonës, Ronald Kuman, që dëshiron ta marrë në “Kamp Nou”, sepse u paraqit shumë mirë në ndeshjen që Holanda e fitoi 2-0 ndaj Austrisë në Euro 2020. U luajt në Arenën “Johan Krujf” në Amsterdam dhe vendasit patën epërsi, duke qenë më të sigurt sesa në ndeshjen e parë ndaj Ukrainës, e njëkohësisht duke arritur kualifikimin. Depai shënoi golin e parë me penallti të fituar nga Damfris, dhe ishte pikërisht Damfris që shënoi edhe golin e dytë pas pushimit. Holandezët patën erëpsi dhe krijuan shumë raste, por edhe shpërdoruan shumë, dhe kjo mund t’i dëmtojë kur të luajnë me skuadra të forta në raundet e tjera. “Tulipanët” u bënë skuadra e dytë që kalon turin pas Italisë e Belgjikës, ndërsa në ekip nuk kanë emra të mëdhenj, por ndoshta kanë një “familje” të vërtetë e kjo mund t’i ndihmojë. Tashmë, pesimizmi përpara Europianit ia ka lënë vendin një optimizmi të matur për të besuarit e trajnerit De Bur.
Holanda: Stekelenburg, De Ligt, De Vraj, Blind (Ake 64’), Damfris, De Ron (Gravenberh 74’), F. De Jong, Vajaldum, Van Anholt (Vajndal 65’), Depai (L. De Jong). Veghorst (Malen 65’). Tr. Frank De Bur.
Sfidanti.al