Tifozët në delir për Italinë, gazetat thërrasin për kombëtaren: Sa e bukur që je!

Janë të bindur se ekipi i tyre mund të arrijë deri në fund. Tifozët e Italisë e përjetuan në mënyrën më të mirë të mundshme suksesin e kombëtares së tyre, të dytin radhazi në Europian, që solli edhe kualifikimin. E gjithë Italia, jo vetëm ata në stadium janë të bindur se të kaltrit i kanë të gjitha mundësitë për të fituar titullin, të parin që nga viti i largët 1968. E tillë fitorja 3-0 ndaj Zvicrës, që erdhi pas asaj po 3-0 kundër Turqisë. Me një Manuel Lokateli, zbulim të Europianit, dhe me një grup të bashkuar gjithçka mund të ndodhë. Mesfushori i Sasuolos, nga rezervë e Verratit, është kthyer në hero të atdheut dhe shënoi dy gola në “Olimpiko”. Kjo paraqitje, i bëri të përditshmet në Apenine që të shpërthenin.

“Je shumë e bukur”, titullon “La Gazeta delo Sporti”, që thekson se Italia dha një shfaqje, me 3 gola edhe ndaj Zvicrës duke kaluar në të tetat e finaleve.

Për “Il Korriere delo Sportin” bëhet fjalë për “një gëzim të çmendur”: Gola dhe spektakël, Lokateli dhe Imobile kalojnë Italinë në të tetat e finaleve!”

Ja edhe “Tutosport” e Torinos: Lokateli i Italisë! 3-0 Zvicrës! Të Kaltrit në te tetat e finaleve! Kjo kombëtare ka të drejtë të mendojë për gjëra të mëdha!

Italia e Mançinit ka 29 ndeshje radhazi pa humbje, plot 33 muaj, duke qenë vetëm 1 ndeshje larg rekordit të viteve 30-të të shekullit të kaluar mbajtur nga kampionët e botës të trajnerit Poco.  Të kaltrit kanë shënuar 31 gola radhazi pa pësuar asnjë, 10 fitore radhazi. Lajmi i vetëm i keq ishte dëmtimi i Kielinit, që nuk dihet sesa do të mungojë.

Pritja në Europian, ndërkaq, është shumë e gjatë, me dy finale të humbura në 20 vitet e fundit. Në Euro 2000, Italia e Dino Xofit u mund me gol të artë nga Franca kampione e botës, kur ishte në avantazh. Në Euro 2012 ekipi i Prandelit u dorëzua pa kushte para Spanjës, me një 0-4 në finale.

Sfidanti.al