Kthimi i legjendës, Crvena Zvezda në Champions pas 26 vitesh

Ishte mbrëmja e 29 majit 1991, një e mërkurë. Në stadiumin “San Nikola” të Barit, një ekip i papritur kurorëzohej kampion i Europës për herë të parë e të fundit në histori. Ky ekip e kishte emrin Crvena Zvezda, kampion i Ligës Federative të Jugosllavisë, dhe mposhtte në finale, stërfavoritin Olimpik të Marsejës.

“Të nesërmen” e fitores, në Jugosllavi nisën luftërat etnike dhe skuadra-mrekulli u shkatërrua, pa mundur të ndërtohej më. Zvezda luajti edhe në 1992, në edicionin e parë kur Kupa e Kampionëve u bë Liga e Kampionëve, ndërsa më pas, “errësirë”.

U deshën 26 vjet që ish-kampionët të ktheheshin në turneun më të madh të futbollit të klubeve në Europë. Kjo ndodhi mbrëmjen e djeshme, kur Crvena Zvezda u kualifikua për në fazën e grupeve, në dëm të Red Bullit të Salcburgut, kampion i Austrisë. Barazoi 0-0 në Beograd, u ndodh 0-2 në humbje në Salcburg, por reagoi duke barazuar 2-2, e duke ia dalë mbanë.

Brezi i 1991-it ishte i madh, padyshim shumë më i dëgjuar se ky i sotmi. Skuadra që fitoi finalen me Marsejën kishte në përbërje portierin dhe kapitenin Stojanoviç (serb i Mitrovicës), mbrojtësit Refik Shabanaxhoviç (ndoshta, shqiptar i Tuzit) e Miodrag Belodediçi, yjet e mesfushës Vladimir Jugoviç, Sinisha Mihajloviç, e sidomos Robert Prosineçkin, apo sulmuesin maqedonas Darko Pançev.

Në formacion, edhe “gjeniu”, Dejan Saviçeviç, një malazez nga Podgorica. Mungonte “Piksi”, Dragan Stojkoviç, që ishte transferuar pikërisht tek Marseja, dhe që luajti në finale vetëm në kohën shtesë. Në stol ishte Ljubomir “Ljupko” Petroviç, që në një moment u bë kandidat për stolin e kombëtares së Shqipërisë. Crvena Zvezda u bë ekipi më i mirë i botës kur fitoi Kupën Ndërkontinentale, ndaj Kolo Kolos së Kilit, me shifrat 3-0.

Brezi i sotëm e nisi mirë që sezonin e kaluar duke u paraqitur shumë mirë në Ligën e Europës, ndërsa fitoi bindshëm kampionatin serb. Në përbërje të saj janë disa lojtarë shumë të mirë si kapiteni Miljash, Vujadin Saviç, Ivan Iliç, Nemaja Radonjiç, Filip Stojkoviç. Nën drejtimin e trajnerit Milojeviç, Zvezda do të synojë të ketë sukses në fazën e grupeve, edhe pse do ta ketë shumë të vështirë.

Sfidanti.al