Të gjithë prisnin që në mesin e fushës së Mançester Sitit të luante ose Fernandinjo, ose Rodri. Këta janë dy lojtarët “digë” të Guardiolës për të ndihmuar mbrojtjen, por një mendje “diabolikisht” ofensive si ajo trajnerit katalanas gjykoi ndryshe në prag të finales së Championsit. Tekniku i “Qytetarëve” bëri një eksperiment, nëse mund ta quajmë kështu duke hedhur në terren mesfushorët Bernardo Silva, Gyndogan, Mahrez dhe de Brujn, lojtarë teknikë, por jo aq të fuqishëm sa Kante apo Çiluell të Çelsit.
Kritikat ishin të shumta nga opinionistët dhe gazetarët në Angli, duke e quajtur “gabim të përsëritur” këtë të Guardiolës, ndonëse katalanasi u mbrojt. “Unë vendosa që të kisha në fushë lojtarë cilësorë, – tha ai, – Gyndogan ka luajtur për shumë vjet në atë pozicion. Doja që të kishim shpejtësi, të gjenim hapësirat e vogla. Më duheshin lojtarë të shkëlqyer në mes, anash dhe mes reparteve. Për këtë arsye e mora këtë vendim. Ne bëmë gjithçka për ta dërguar finalen të patën në shtesë, ndonëse unë e përgëzoj Çelsin”.
Tekniku i bluve të Londrës, Tomas Tuhel, e kuptoi veprimin e kolegut të tij, dhe vendosi edhe ai të bënte një lëvizje. Gjermani nuk mund ta ndryshonte formacionin, por bëri diçka tjetër. “Ne prisnim që të luante Fernandinjo, – pohoi ai, – ata zgjodhën një formacion tepër sulmues, shumë teknik, dhe ishte e rëndësishme që mbrojtja jonë të afrohej me mesfushën për ta ndihmuar. Duhej që repartet tona të kishin lidhje të fortë mes tyre dhe kështu ndodhi”.
Sfidanti.al