Kishin kaluar shumë javë që nga ajo kohë, por asgjë nuk ishte harruar. Çelsi e fitoi Championsin dhe për mesfushorin Jorginjo kishte ardhur momenti që të mbante fjalën, pasi një basti që kishte premtuar që në çerekfinale. Italo-braziliani i kishte premtuar gazetarit brazilian Fred Kaldeira se do ta rruante mjekrën dhe mustaqet nëse do ta fitonte Ligën e Kampionëve, dhe ky i fundit ia kujtoi bastin. Fjala u mbajt dhe Kaldeira ia hoqi qimet e fytyrës 29-vjeçarit të Bluve të Londrës.
Gjithsesi, basti ishte i dyanshëm, pra që edhe Jorginho do t’ia hiqte mustaqet gazetarit të televizionit “TNT Sports” për Brazilin. Edhe ky premtim u respektua dhe dy burrat lanë edhe një kujtim dypalësh me një foto me fytyra të ndryshuara. Kjo ishte një nga veçantitë që lidhen me sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti.
I pyetur më pas nga televizioni i klubit, Jorginjo foli për emocionet e suksesit të madh në dhomën e zhveshjes në stadiumin e Portos. “Si mund t’i gjesh fjalët për ta përshkruar këtë, – tha mesfushori 29-vjeçar, – e pabesueshme, mahnitëse, e pakonceptueshme. Një nga kënaqësitë më të mëdha në jetë”. Ky ishte trofeu i dytë i Jorginjos me Çelsin pas Ligës së Europës në 2019, ndërsa me Napolin kishte fituar Kupën dhe Superkupën italiane.