Kosovare Asllani humb penalltinë dhe derbin, por mbetet shpresa e Milanit!

Nuk ishte dita e saj, por sezonin sërish mund ta ketë pozitiv. Kosovare Asllani pati një ndeshje të vështirë derbi me Milanin e saj që u mund nga Interi, ndërsa ajo vetë gaboi momentin më të mirë për të shënuar. Sulmuesja suedeze, me origjinë shqiptare nga Kosova pati mundësi të realizonte nga pika e bardhë, por penalltinë e saj e priti portierja e Interit. Në fund, vajzat zikaltër fituan thellësisht 4-1 duke realizuar një shkëputje me rivalet në renditjen e Serisë A. Mëkat për Asllanin, të mbiquajtur edhe Ibrahimoviçi i femrave, dhe që ka shënuar 8 gola këtë sezon në kampionatin italian.

Shqiptarja nga Kosova nuk është larg vendeve të para në renditjen e Këpucës së Artë, ku kryeson sulmuesja e Interit, Shauinga, me 12 rrjeta, e cila shkëlqen edhe me 5 asistë. Asllani dëshiron të vazhdojë karrierën e saj në nivele të larta, siç ka bërë me Mançester Sitin, Paris SG apo Realin e Madridit, si dhe me përfaqësuesen suedeze. Dy skuadrat e Lombardisë nuk është se janë shumë lart këtë sezon, pasi vajzat zikaltër mbajnë vendin e 4-ët në renditjen e Serisë A me 29 pikë, ndërsa Milani është në kuotën e 25 pikëve në vend të pestë. Megjithatë, të dyja kanë shpresë në fazën e plej ofit ku mund t’i afrohen kreut.

Sfidanti.al