Konte: “Nuk di të ardhmen time dhe jo më të David Luizit!”

Trajneri i Celsit, Antonio Konte, komentoi mospërfshirjen e mbrojtësit David Luiz në formacion në ndeshjen ndaj Mançester Junajtidit që “blutë” e Londrës e fituan 1-0 në “Stemford Brixh”, të dielën e kaluar. Ne fakt, ky stoper brazilian, deri para kësaj ndeshjeje, ka qenë lojtar standard në formacionin e parë të Kontes, por ndeshjen e fundit ai e ndoqi nga tribuna. Konte futi në lojë Aspilikuetën, Kejhillin, Kristensenin, Zapakostën dhe Alonson, kurse për David Luizin nuk kishte vend, duke i habitur, kështu, tifozët. Sidoqoftë, Celsi i Kontes fitoi, duke mos pësuar asnjë gol, kështu që, si rezultat, doli se trajneri italian kishte marrë një vendim të drejtë.

“Ky ishte një vendim krejtësisht taktik. Lojtarët duhet të punojnë me këmbëngulje, përndryshe, do të jenë të detyruar që t’i ndjekin ndeshjet nga tribuna. Kjo mund t’i ndodhë çdo lojtari tim, nëse unë konstatoj se ai nuk luan mirë. Kristenseni zhvilloi një ndeshje të mirë. Unë duhet të marr vendime të drejta për klubin dhe jo për individët”, vuri në dukje Konte. I pyetur, nëse Luizi do të qëndrojë ose jo në ekip, trajneri italian tha se “unë nuk di të ardhmen time dhe jo më të David Luizit!”

Sfidanti.al