Konte është mësuar të ketë armiq, nuk ikën nga Interi pa fituar!

Shifrat në renditje ndoshta nuk është se kanë ndryshuar shumë, pasi skuadra është në vend të katërt, por gjithsesi nëse e shikon me më shumë kujdes, kupton se transformimi po kryhet. Nëse në fund të sezonit të kaluar, Interi i Spaletit ishte 21 pikë poshtë Juves, ky i Kontes sot është 10, pra ia ka dalë më shumë sesa ta përgjysmojë diferencën. Për tifozët, për momentin, kjo vlen pak, sidomos pas ndeshjeve si këto ndaj Sasuolos, Bolonjës apo Veronës, për të mos folur për ato me Juven dhe eleminimin me Napolin në Kupë, ndaj edhe trajneri është në pozicion të vështirë.

“Më vjen keq që po humbasim pikë që duhej t’i fitonim, – thotë Konte, – kohët e fundit e kemi rritur lojën, kemi më shumë zotërim topi, më shumë raste të krijuara, por pësojmë gola në fund, sidomos në situata standarde. Kur jemi në avantazh, nuk dimë ta ruajmë, dhe kështu kemi humbur 20 pikë (plot 9 ndeshje)”. Çfarë duhet të bëjë Konte? “Këto gjëra duhet t’ia them klubit, pra se çfarë na mungon, çfarë duhet të ndryshojmë, – shprehet tekniku, – të gjithë duan që të fitojnë, por duhet të kuptojnë sesa afër apo sa larg janë nga fitorja. Nuk dua të flas për sezonin e ardhshëm, pasi duhet të përqëndrohemi totalisht tek ky edicion”. Gjithsesi, e sigurt është që Konte do të vazhdojë tek Interi, ai nuk mund të dorëzohet kaq lehtë!

Sfidanti.al