“Zoti” sërish ishte me Tiranën, por vetëm përgjysmë, derbi del 1-1!

Jemi mësuar që trajneri bardheblu të thotë gjithnjë në konferencat për shtyp se është ndihma e Zotit që i jep suksesin. Këtë herë, në derbin numër 157, vërtet ishte një mrekulli që Tirana barazoi në minutën e dytë shtesë, por Zoti (nëse ekziston) u tregua më i ekuilibruar duke ndihmuar të dyja skuadrat. Partizani, ekipi i goditur 5 herë nga Kovidi, pra me 5 mungesa, dha shpirtin në fushë duke kryesuar deri në fund falë golit të Melos. Tirana me pretendime të mëdha, por edhe e goditur nga dyshimet dhe akuzat, sërish nuk arriti të reagonte si duhet, ndonëse i riu Ernest Muçi e ndihmoi me golin e barazimit. Pak rëndësi ka nëse ishte vërtet një derbi i luftuar drejt, apo më pak se kaq, por barazimi 1-1 i jep të drejtë Tiranës që të besojë më shumë tek titulli kampion. Edhe pse mbeten edhe 3 ndeshje, diferenca me Kukësin do të jetë nga 4 deri në 7 pikë, dhe bardheblutë vështirë se mund të shpërdorojnë një diferencë të tillë kur janë në lojë vetëm 9 pikë.

Sfidanti.al