Konte-Çelsi, “martesa e vështirë” do të vazhdojë, por deri kur?!

Antonio Konte nuk do të largohet nga Çelsi. Jo vetëm kaq, por trajneri italian do të ketë rritje të mëtejshme të rrogës, nga 9 në 9.5 milionë paund stërlina në sezon (11 milionë euro afërsisht), por “lufta civile” nuk ka përfunduar në klubin londinez. Drejtuesit e bluve menduan edhe shkarkimin e trajnerit, por siç duket Roman Abramoviç nuk dëshiron të rrezikojë tani që skuadra po fiton dhe trajneri është shumë i dashur nga tifozët.

Gjithsesi, atmosfera nuk është nga më të mirat. Mediat britanike kanë shkruar se Konte kërkoi vitin e kaluar shkarkimin e dy figurave në “Stemford Brixh”, drejtorit teknik Majkëll Emenalo, dhe krahut të djathtë të Abramoviçit, Marian Granovskaia. Trajneri deshi të sillte me vete ish-drejtorin sportiv të Romës, Valter Sabatini, por kjo nuk ndodhi. Konte e ka marrë inat Emenalon që kur ai sulmoi Murinjon në “Çelsi TV” (Chelsea TV), kur portugezi ishte ende trajner i bluve. Po ashtu, ai dëshiron dorë të lirë për të marrë lojtarët, siç bëjnë të gjithë trajnerët në Angli, ndërsa tek Çelsi “fut hundët” Granovskaia. Për momentin, gjithçka është qetësuar dhe Konte është takuar me Granovskaian ku kanë biseduar për përforcimet që i duhen ekipit.

Sfidanti.al