Afrohen ndeshjet, por shtohen problemet. Kombëtarja shqiptare mund të mos ketë dy mbrojtësit kryesorë në sfidat e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit dhe Islandës, pasi lajmet që vijnë nga Italia janë me të vërtetë të këqija. Marash Kumbulla, që e nisi në formacion ndeshjen e Serisë A të Romës së tij ndaj Specias, u detyrua të dilte nga fusha që në minutën e 28-të. Qendërmbrojtësi kuqezi pësoi dëmtim muskulor, ndërsa mediat në Apenine shkruajnë se ende nuk dihet shkalla e lëndimit, dhe koha që do t’i duhet atij për t’u riaftësuar.
Kumbulla në pjesën më të madhe të kohës ka qenë në stol, ndonëse trajneri Murinjos i ka premtuar aktivizim, por tashmë do të duhet të jetë jashtë fushe. Në ditët e ardhshme priten analizat mjekësore dhe do të shihet nëse 22-vjeçari do të mund të jetë gati për 24 shtatorin, kur luhet ndeshja e parë e kombëtares. Jashtë ekipit përfaqësues është thuajse e sigurt që do të jetë Berat Gjimshiti, pas dëmtimit që pësoi për Atalantën gjithashtu në Serinë A.
Me këta dy lojtarë potencialisht jashtë, kuqezinjve do t’u mungojë ndaj Izraelit dhe Islandës dyshja kryesore e qendrës së mbrojtjes, një minus aspak i vogël. Gjithsesi, shpresohet që Rej Manaj të kthehet nga dëmtimi që pati në Angli. Sulmuesi 26-vjeçar u lëndua tek Uatfordi në kategorinë e dytë, dhe nuk luajti në ndeshjen e djeshme, por problemet e tij duken të kalueshme, ndërsa ka nisur të shfaqë formën që pati në Serinë A me Specian. Lajmet e mira të sulmit të paktën vazhdojnë, pasi Myrto Uzuni duket në formë të madhe, dhe Armando Broja ka nisur të aktivizohet, gjë që mund ta ndihmojë shumë ekipin kuqezi.
Sfidanti.al