Nuk ishte disfata e thellë e dy viteve më parë, por sërish kthehemi pa pikë. Ndeshja e parë eliminatore e Kampionatit Europian 2024 përfundoi me humbje minimale 0-1 në “Stadiumin Kombëtar” të Varshavës, me Poloninë që vërtet bëri diçka më shumë në zotërim topi, por që nuk pati më shumë mundësi për të shënuar sesa kuqezinjtë. Debutimi i trajnerit Silvinjo ishte pozitiv përsa i përket lojës, me skemën me theks sulmues 4-3-3, që nuk lejoi polakët të dominonin, dhe me raste të krijuara në të dyja pjesët. Cikalleshi krijoi rrezik në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit mundësitë erdhën radhazi me Myrto Uzunin, Kristjan Asllanin, sërish Asllanin, Seferin dhe në fund edhe një herë me Uzunin.
Për fat, nuk patëm saktësinë para portës, ndërsa polakët u mbrojtën fort duke mos lejuar që lojtarët tanë të dilnin vetëm për vetëm me portierin e tyre Shezni. Silvinjo bëri shumë zëvendësime, ndërsa dy lojtarë debutuan, fillimisht Jasir Asani dhe titullar, dhe pastaj Anis Mehmeti që zëvendësoi pikërisht shqiptarin e Maqedonisë. Natyrisht, edhe vendasit patën mundësitë e tyre, më shumë në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit u detyruan që të luanin në kundërsulm. Një humbje që nuk i prish planet e Shqipërisë për të pretenduar kualifikimin në Europian, aq më tepër që Çekia barazoi 0-0 në fushën e Moldavisë.
Sfidanti.al