Dita pas fitores është gjithnjë e bukur. Ashtu u duk që në stërvitjen e lehtë që futbollistët e kombëtares bënë në “Elbasan Arena” pak orë pas ndeshjes ndaj Lihtenshtajnit. Trajneri Panuçi thjesht bëri minimalen e domosdoshme, në pritje të zhvendosjes drejt Strumicës ku të martën luhet ndaj Maqedonisë.
Më pas, dy nga protagonistët e së shtunës, dolën në konferencë për shtyp. Ata ishin Azdren Llullaku dhe Odise Roshi. “Mendoj që Maqedonia ka probleme dhe ne mund ta shfrytëzojmë këtë rast për të arritur rezultat pozitiv, – tha Llullaku, – do të jetë një ndeshje shumë e fortë sepse mendoj që Maqedonia është ekip më i mirë se Izraeli”. Ja edhe fjalët e Roshit: “Kam provuar një ndeshje disa vjet më parë dhe ishte atmosferë e vështirë, me thirrje raciste, por besoj se shkojmë për rezultat pozitiv, padyshim gjithnjë duam fitoren, por edhe një pikë jashtë fushe është mirë”.
Vijoi një pushim, një drekë e shpejtë dhe pastaj udhëtimi. Futbollistët e kombëtares dukeshin një orë larg sesi ndiheshin ndërsa dilnin nga hoteli në Elbasan për t’u ulur në autobusin me të cilin do të shkonin drejt Shkupit. Pikërisht, ndeshja ndaj Maqedonisë, madje edhe udhëtimi drejt vendit fqinj ishin arsye të mjaftueshme për t’u menduar jo pak, veçse djemtë e Panuçit, ishin ende nën dozën e adrenalinës së parë.
Kapitenit Agolli i kishte kaluar pezmatimi me mediat, atë që e shprehu pas golit, dhe gjithkush ishte i çtendosur. i vetmi që dukej si më i preokupuar ishte vetë trajneri, që hipi e zbriti disa herë nga autobusi, siç duket për t’u siguruar se gjithçka ishte në rregull.
Një përshëndetje, ndoshta të fundit, e bëri njeriu që udhëhoqi skuadrën drejt finaleve të Europianit, Xhani De Biazi. Italiani tjetër, pasi e shoqëroi kombëtaren për tri ditë, ndoshta i dha një lamtumirë.
Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkaq, kishin marrë disa masa për rrugëtimin. Të shqetësuar nga ngjarjet e muajve të fundit në Maqedoni dhe nga ajo që i ndodhi Skënderbeut, ata pajtuan një polici private, që shoqëroi ekipin nga Elbasani deri në Shkup. Kjo, përveç masave të policisë maqedonase. Programi vijon me kalimin e natës në një hotel në kryeqytet dhe vazhdimin e udhëtimit drejt Strumicës, ku do të luhet ndeshja këtë të martë.
Sfidanti.al