Kemi thënë gjithmonë se është më i miri në rol. Kombëtarja shqiptare nuk ka mbrojtës më të mirë sesa Berat Gjimshiti, por nga Italia vijnë lajme të këqija. Futbollisti 30-vjeçar është në dyshim për ndeshjen eliminatore të Europianit ndaj Polonisë në 27 mars, sepse pësoi dëmtim në sfidën e kësaj të shtune në Serinë A, Napoli-Atalanta Ishte fundi i pjesës së parë, kur Gjimshiti pati lëndimin pas një dueli me sulmuesin kryesor napolitan, Viktor Osimhen. Shqiptari kërkoi menjëherë zëvendësim dhe nuk u kthye në fushë pas pushimit.
Mediat në Itali shkruajnë se është e sigurt që shqiptari nga Kosova nuk do të luajë në sfidën e radhës në kampionatin italian ndaj Empolit në Bergamo. Gjithsesi, do të duhet të pritet përfundimi i analizave mjekësore për të përcaktuar shkallën e dëmtimit dhe kohën e mungesës. Ky është lëndimi i dytë sezonal për 30-vjeçarin, ndonëse nuk duket aq serioz sa i pari që e la për shumë kohë jashtë fushave. Gjasat janë që Gjimshiti të mund të kthehet deri në ndeshjen e 27 marsit në Varshavë, veçse pritet të shihet nëse do t’ia dalë dhe në çfarë forme do të jetë.
Sfidanti.al