Bajerni merr një epërsi ndaj Dortmundit pas derbit të Ruhrit!

Nuk do të jetë e lehtë ta dorëzojë kurorën. Bajerni tregoi se do të luftojë deri në fund për titullin kampion, dhe arriti një shkëputje qoftë edhe të vogël në krye të renditjes së Bundesligës. Natyrisht, pritej më shumë pas triumfit bindës në Champions ndaj Paris SG të Lionel Mesit e Kilian Mbapesë, por gjithsesi fitorja u mor dhe kjo ishte kryesorja. Skuadra e trajnerit Julian Nagelsman ia doli 5-3 ndaj Augsburgut, pavarësisht dy golave të Mërgim Berishës, duke dominuar në pjesën e parë, e duke lëshuar pak pas pushimit. Diçka e pritshme në një sezon shumë të ngarkuar me dy ndeshje në javë.

Interesant fakti se për Bajernin ishin mbrojtësit autorë të golave. Zhoao Kanselo, Benzhame Pavar dy herë dhe Alfonso Dejvis gjetën rrugën e rrjetës, ashtu si edhe Leroi Sane. Dortmundi nuk e mbajti dot ritmin bavarez, ndonëse nuk pati shumë faj. Borusia pati ditën e derbit të madh të Ruhrit në stadiumin e Shalkes dhe mundi të shkëpuste vetëm barazimin 2-2, edhe pse kryesoi dy herë me golat e Shloterbekut e Gerreros. Ky përfundim bëri që skuadra e trajneri Edin Terziç të mbetet në kuotën e 50 pikëve, dy pikë pas Bajernit që kryeson.

Sfidanti.al