Klubi misterioz i Zyles qenka Dortmundi? Përse shkoi ai atje?!

Një lojtar i kombëtares gjermane është gjithnjë “mall i klasit të parë”. i tillë edhe Niklas Zyle, në një moshë shumë të përshtatshme për të qenë në majat, që vesh fanelën e Bajernit legjendar të Mynihut, dhe që kërkohet nga aq shumë admirues si Çelsi, Barcelona, Real i Madridit e Njukasëlli, por që mori një vendim tepër të papritur për të ardhmen. Është pak të thuhet se ra si “bombë” lajmi që qendërmbrojtësi do të bashkohet në verë me Dortmundin, një ekip që nuk arrin të fitojë dot në Gjermani as epitetin “anti-Bajern”. Pra, Zyle rrezikon të mos fitojë trofe në “Signal Iduna Park”, ku nuk janë kohët e Hicfeldit apo Klopit, dhe ku më shumë ekziston politika e “inkubatorit” për të rritur talente e për t’i shitur shtrenjtë siç ndodhi dikur me Gëcen, tani me Sançon e pritet të ndodhë me Halandin.

Me gjasë, kalimi i tij atje do t’i prishë punë edhe kombëtares, sepse ai do të ketë më pak përvojë në nivele të larta, sesa do të kishte tek Bajerni. Çfarë iu shkrep në mendje Zyles për Borusian? Paratë? Agjenti i tij tha se “klubi misterioz” (foli një ditë më parë) nuk ishte çështje parash. Bajerni nuk pranoi t’i jepte më shumë se 10 milionë euro në sezon, nuk dihet nëse Borusia do t’ia japë, apo nëse ky transferim do të thotë ndryshim politike në klubin gjerman?! Duhet pritur vera për të kuptuar më mirë.

Sfidanti.al