Klubet italianë dhe europianë nderojnë ish-presidentin e Milanit

Një biznesmen i suksesshëm dhe një politikan kontrovers, por mbi të gjitha një njeri i apasionuar me futbollin. Dhe ndoshta ishte pikërisht Milan dhe triumfet me këtë skuadër si pronar dhe president që e bënë Silvio Berluskonin të njohur në të gjithë botën. Ai mori pronësinë e klubit italian në vitin 1986, duke e bërë atë një nga më fituesit në historinë e futbollit. Me “fiksimin” e suksesit, por edhe lojës së bukur, Berluskoni veshi me ngjyrat kuqezi yjet më të mëdhenj të kohës, duke ndihmuar skuadrën të sillte një revolucion të vërtetë jo vetëm në futbollin italian, por edhe atë botëror.

Në 31 vite në drejtimin e Milanin, 20 si president dhe 11 të tjera si zëvendëspresident, Berluskoni fitoi 29 trofe: 8 tituj kampion në Serinë A, i Kupë të Italisë, 7 Superkupa të Italisë, 5 Champions League, 5 Superkupa të Europës, 2 Kupa Interkontinentale dhe 1 Botëror për Klube.  Pas shitjes së Milan, Berluskoni mori përsipër një tjetër sfidë në futboll, duke blerë klubin e Monzës. Me stilin e tij ai shkruajti historinë e kësaj skuadre, duke e promovuar për herë të parë në Serinë A.

Jo më kot, e gjithë bota e futbollit ka dashur të përcjellë të gjithë respektin pas ndarjes nga jeta të Berluskonit. Si fillim dy klubet e tij të zemrës, Milan dhe Monza, por edhe rivalët e mëdhenj në Itali, si Inter apo Napoli, por edhe ata europianë si Real Madrid. Më e madhe dhimbja te bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Adriano Galiani mbi të gjithë, por edhe ish-trajnerët dhe futbollistët e tij si Arrigo Saki, Karlo Ançeloti, Rud Gulit apo Paolo Maldini.

Sfidanti.al