Mediat angleze nuk e kanë harruar sesi u prezantuan dy palë pronarë amerikanë në klubet kryesorë të Premier Ligës. Ata të Liverpulit (Henri) erdhën në “Anfild”, dhe u ulën në një sallë ekzekutive me gazetarët që mbulonin klubin për të diskutuar atë që do të bënin. Kur miliarderët Glejzër mbërritën tek Mançester Junajtidi, ata blenë disa fanela me mbishkrimin “E duam Man. Junajtidin” , dhe disa suvenirë me vlerë 18 paundë stërlina, e më pas u larguan me makinat e tyre të shtrenjta. Sipas gazetave, kjo e tregon qartë diferencën në mënyrën sesi po shkojnë punët në dy emrat më të mëdhenj të futbollit anglez. Liverpuli u ringjall fillimisht me Brendon Roxhersin e më pas me Jurgen Klopin, ndërsa Junajtidi nuk po gjen derman as me Mojesin, Van Galin, Murinjon dhe tani Solskjerin. Në 2014, “djajtë e kuq” kërkuan Klopin, por trajneri gjerman bëri një përkufizim që mbeti legjendar. “Mançester Junajtidi sot është një version i rritur i Uollt Diznejt”!
Sfidanti.al