Që të dy nxorrën “mjaltë” nga goja për trajnerin rival, ndonëse batutën më të bukur e bëri katalanasi. Jurgen Klopi dhe Pep Guardiola do të jenë përballë në “Anfild” ditën e sotme në orën 17:30, pasi Liverpuli e Mançester Siti ndeshen për Premier Ligën, dhe tekniku i “qytetarëve” tha se “Klopi më ka bërë një trajner më të mirë, unë duhet të tejkaloj veten nëse dua që ta mund, ekipi i tij është më i shpejtë se i yni, por që të dy jemi njësoj, duam të fitojmë duke sulmuar ”. Ky ishte komplimenti më i bukur i prag-ndeshjes.
Gjermani deklaroi se “ne jemi të ndryshëm si persona, por e vlerësojmë shumë njëri-tjetrin”. “Unë kam shumë respekt për të, ndonëse herë pas here e mërzis me gjërat që them në konferencat për shtyp, – vazhdoi Klopi, – por, kjo nuk është për t’i bërë keq atij apo Sitit”. Dy trajnerët kanë qenë përballë nga viti 2013, me përjashtim të një viti. Bilanci është i barabartë, me nga 9 fitore secili dhe 3 barazimi, ndonëse Guardiola ka golaverazh më të mirë.
Sfidanti.al