“Klasikja” me Dortmundin, Bajerni pa trajnerin, por ka Levandovskin!

Stoli nuk do të jetë bosh, por aty nuk do të ulet ai që ishte numri 1. Niko Kovaç është larguar dhe Bajerni do të ketë ndeshjen e parë në Bundesligë pa kroatin, kur të presë sot Dortmundin në “Alianc Arena”. Luhet në 18:30, dhe bavarezët pritet të mos e kenë të lehtë ndaj verdhezinjvë, tani që drejtimin e ka marrë numri 2, Hans Flik, veçse vendasit kanë një alternativë që jep plot shpresë.

Ky është Robert Levandovski, sulmuesi i Polonisë që ka marrë “zjarr” së fundmi, dhe që u bë i pari lojtar në historinë e Bundesligës që shënon gol në secilën prej 10 ndeshjeve të para të sezonit. Në total, ai ka 14 rrjeta, dhe mungesa e Kovaçit nuk do ta pengojë sado pak aftësinë e tij për të realizuar edhe në portën e Dortmundit.

Borusia vjen me moral të lartë, pas barazimit me Shalken në kampionat, fitores 3-0 po në Bundesligë ndaj Volfsburgut, suksesit 2-1 në Kupë ndaj Mynshengladbahut, dhe përmbysjes së madhe 3-2 ndaj Interit në Champions. Anglezi Xhejdën Sanço është në dyshim, por ekipi i trajnerit Favre ka plot të tjerë. Në Mynih nuk fitohet që nga viti 2014, kur trajner ishte Klopi, ndoshta kjo është hera e duhur!

Sfidanti.al