Sarri, jeta e një trajneri në futboll mund të nisë edhe 60 vjeç

Shpesh, thuhet me shaka se “jeta e njeriut nis 50 vjeç”, me kuptimin që në atë moshë është i pjekur, por edhe ende i ri për të shijuar. Për Mauricio Sarrin mund të thuhet se jeta si trajner futbolli mund të nisë edhe në moshën 60-vjeçare, aq sa është sot. Pasi u ngjit me vështirësi nga ligat e ulëta deri tek Empoli, e pasi pati sukses me Napolin, provoi jetën “jashtë vendit” tek Çelsi, dhe u bë gati për Juventusin.

Prova në Torino mund të quhet padyshim e suksesshme deri tani. Sarri, që shkurt e shkruajnë me iniciale MS, arriti një sukses në Champions me Juven, që nuk e kishin realizuar trajnerët para tij që nga koha e Fabio Kapelos. Ai u kualifikua për në turin e dytë, me dy ndeshje para afatit, ndërsa Konte dhe Alegri ia kishin dalë vetëm në ndeshjen e fundit, në sezonin e tyre të parë në stol.

Po në Serinë A? Sarri ka 29 pikë pas 11 javëve, ndaj 25 të Kontes dhe 28 të Alegrit. Edhe më të rëndësishme janë diferencat teknike, pasi Juvja e Sarrit luan mesatarisht 52.7 metra larg portës së saj, ndërsa ajo e Alegrit ishte në 50.8 metra. Ekipi i Sarrit gjuan mesatarisht 11.4 herë në portë në çdo ndeshje, ndaj 9.6 të Alegrit, dhe rikuperon topin më lart portës së tij, mesatarisht 37.2 metra larg ndaj 36 metrave të Alegrit. Gjithsesi, Juvja e Sarrit është ende një “kantier ndërtimi”, në krahasim me Sitin apo Liverpulin që janë më të kolauduar.

Sfidanti.al