Kinezët duan 1.2 miliardë euro për aksionet e Interit!

Për të ndoshta nuk kanë rëndësi se cilët janë pronarët, por për tifozët besohet që po. Kristjan Asllani nuk besohet se shqetësohet nga lajmet se Interi është në shitje, ndërsa ai është qind për qind i përqëndruar që të forcojë pozitat në skuadër dhe të jetë sa më shpejt në nivelin që kërkohet në një ekip të tillë. Gjithsesi, një ndryshim i madh mund të ndodhë në klub që mund të ndikojë edhe tek fati i tij, ndërsa nga Britania e Madhe shkruajnë se zikaltërit mund të ndërrojnë duar. Duket se kompania kineze me president të klubit, Stiven Çang, nuk mund të përballojë këtë ngarkesë financiare, për shkak të problemeve jashtë futbollit. Sipas “FT”-së, Suningu ka autorizuar bankierët e “Goldman Sahsit” (Goldman Sachs) dhe të Grupeve Rejn (Raine Groups) për të realizuar shitjen e aksioneve, ndërsa flitet për një kërkesë për 1.2 miliardë euro.  Gjithsesi, ekziston varianti që pronarët zikaltër të kërkojnë aksionerë të tjerë për të vazhduar që të qendrojnë në klub, me tifozët që do të pëlqenin një fond amerikan si tek Milani. Interi ka qenë në vështirësi financiare që në sezonin kur doli kampion, gjë që solli largimin e Antonio Kontes, të Lukakut dhe të Hakimit, e duket se këto probleme vazhdojnë.

Sfidanti.al