Kina ndryshon rekordet, Diego Kosta shpejt do të jetë më i paguari!

Si në çdo fushë, Kina nuk po thotë “më mirë një vezë sot, se një pulë mot”. Kinezët duan patjetër “pulën” qoftë edhe mot ndaj janë duke investuar fuqishëm. Pasi thyen rekordet e rrogave dhe bënë blerje të mëdha kur morën Oskarin apo Tevezin, një tjetër yll i rëndësishëm pritet të lerë Europën për vendin e madh të Lindjes. Bëhet fjalë për Diego Kostën, sulmuesin më të mirë të Çelsit, për të cilin Tianxhin Kuanxhian thuhet se do të paguajë 75 milionë stërlina (rreth 90 milionë euro).

Habia më e madhe nuk shkaktohet nga 90-milionëshi që nuk është rekord botëror edhe pse është tepër shumë. Habia ka të bëjë me rrogën e Kostës, që këtë verë besohet se do të largohet nga Çelsi. Mediat britanike njoftojnë se klubi kinez është gati të japë një rrogë prej 750 000 eurosh në javë, që do të thotë diçka mes 36 apo 40 milionë eurove. Tianxhin, që ka për trajner Fabio Kanavaron, u përpoqë ta merrte Diego Kostën edhe në janar, por Çelsi refuzoi.

Sfidanti.al