Kilian Mbape, jo për Francën ndaj Shqipërisë në Euro 2020, një muaj mungesë për yllin!

Dëmtimet kishin qenë serioze dhe pasojat nuk do të jenë të lehta. Alarmi ishte i madh tek Paris SG, dhe u konfirmua kur u morën vesh kohët e mungesës së dy protagonistëve, Kilian Mbape e Edinson Kavani.

Mbape do të jetë jashtë fushe nga 3 javë deri në 1 muaj, ndërsa Kavani duhet të pushojë gjithashtu 3 javë. Kjo do të thotë se Mbape nuk do të jetë i gatshëm për Francën ndaj Shqipërisë, në ndeshjen eleminatore të Euro 2020, që do të luhet në 7 shtator në “Stadë dë Frans” në Paris.

Ndaj Tuluzës, më parë u lëndua sulmuesi uruguajan, dhe pas tij edhe kampioni i botës i Francës, në minutën e 66-të. Trajneri Tomas Tuhel u pyet pas ndeshjes se përse po ndodhin kaq shumë dëmtime në ekip. “Unë jam duke kërkuar arsyet se përse po ndodh, – tha gjermani, – do të vazhdoj të kërkoj që të kuptoj këtë epidemi dëmtimesh”. Parizenët kanë humbur plot gjashtë lojtarë për shkak lëndimi gjatë këtij fillim sezoni, përfshi Mbapenë, Kavanin, Herrerën apo Drakslerin.

Sfidanti.al