Superliga, padrejtësi Teutës e Tiranës, 2 ditë pushim krahasuar me 4 të të tjerëve!

Superliga duhet të nxitojë për shkak të kombëtares. Ndeshjet e javës së dytë do të luhen pa mbërritur mirë mesjava, për shkak të fillimit të ciklit të eleminatoreve të Europianit. Të martën, pra nesër në orën 19:00, do të dalin në fushë Teuta me Tiranën, dy nga skuadrat që e nisën kampionatin me fitore.

Kryeqytetasit dhe durrsakët luajtën të shtunën, pra do të kenë vetëm dy ditë të plota pushim për sfidën e radhës, diçka që i vendos në pozicion më të pabarabartë sesa Kukësi e Partizani, pretendentë të tjerë për titull.

Veriorët dhe të kuqtë luajtën mes tyre të premten në “Elbasan Arena”, ndërsa duelet e javës së dytë do t’i kenë të mërkurën, duke pasur plot 4 ditë pushim. Kuksianët do të shkojnë në Vlorë, në fushën e Flamurtarit, ndërsa skuadra e trajnerit Lerda do të ketë një tjetër udhëtim jashtë fushe, këtë herë në Gjirokastër ndaj Luftëtarit.

Gjasat janë që kryeqytetasit të prishin mallkimin e fushës gjirokastrite ku kanë 22 vjet pa fituar, aq më tepër që vendasit duken të papërgatitur. Gjithsesi, sezonin e kaluar u eleminuan nga Kupa prej Luftëtarit dhe u mundën në Superligë brenda në “Selman Stërmasi”.

Një ndeshje e fortë pritet në Kurbin, mes Laçit e Skënderbeut, ndërsa Vllaznia shkon në Ballsh ndaj Bylisit, pas fitores së parë në “Loro Boriçi”.

Sfidanti.al