Keqardhje Ole, ky është PSG i Mbapesë, jo i Nejmarit!

“Një Paris SG diabolik”. “Muaji i mjaltit përfundoi”. “Di Maria top, Pogba flop, PSG shkatërron Junajtidin”. Këto ishin disa nga titujt e gazetave në versionin onlajn (online) menjëherë pasi Paris SG doli fitues nda “Old Trafordi”. Historia para ndeshjes ishte për një PSG të tronditur nga dëmtimi i dyfishtë Nejmar-Kavani, nga mungesa e Mënierit dhe problemet fizike të Verratit, dhe për një Junajtid të pandalshëm nën drejtimin e trajnerit të ri, Ole Gunar Solskjer.

Historinë e pas ndeshjes e përkufizon më së miri gazeta “Marka”. “PSG i Nejmarit, tani është PSG i Mbapesë”. Pas një pjese të parë thuajse anonime, sulmuesi francez u shfaq pas pushimit me cilësitë e tij vrastare, duke shënuar golin e dytë, me meritë thuajse personale. Pak minuta para tij, mbrojtësi Kimpembe (edhe ky kampion i botës me Francën) kishte shënuar golin e parë.

Skuadra mike, e drejtuar nga trajneri Tomas Tuhel, luajti me më shumë autoritet dhe e meritoi fitoren, aq sa mund të thuhet se Nejmar ndonjëherë e kushtëzon, ndërsa Kavani, edhe pse me karrierë legjendare, ndoshta dalë nga dalë, i përket së shkuarës. E tashmja është ajo e Kilian Mbapesë 20-vjeçar, por edhe e Marko Verratit, që ishte i mrekullueshëm në pjesën e parë. Mëkat që, pas pushimit u detyrua të dilte nga fusha e lojës për shkak dëmtimi.

E tashmja vazhdon të mbetet Angel Di Maria, ish-lojtar i Mançester Junajtidit, që luajti një ndeshje të madhe, edhe pse u vërshëllye dhe pati ofendime. Të dy asistet për golat ishin të argjentinasit. Me shifrat 2-0, kampionia e Francës është thuajse e sigurt për çerekfinalet e Championsit, edhe pse asgjë nuk mund quhet e përfunduar.

Sfidanti.al