Kelleher është heroi, Liverpuli fiton Kupën rekord të Ligës!

Finalja ndaj Çelsit ishte skajshmërisht e vështirë, siç mund të jetë ndaj ekipit kampion të Europës dhe të Botës, që duket i specializuar për ndeshje të tilla. Liverpulit iu desh të derdhte jo vetëm djersë, por edhe “gjak” (nëse mund të shprehemi kështu) për të fituar Kupën e parë të Ligës (Karabao) që nga viti 2012. Dhjetë vjet pritje për tifozët, dhe 130-140 minuta pritje në stadiumin “Uembli” të Londrës, ku koha e rregullt dhe dy shtesat përfunduan pa gola, dhe ku u deshën 22 penallti për të përcaktuar fituesin.

Heroi ishte portieri i Liverpulit, Kelleher, debutues në një ndeshje të tillë, që shënoi 11-metërshin e fundit, ndërsa “fajtori” ishte portieri i Çelsit, Kepa, që u fut në minutën e 120-të pikërisht për penalltitë, nuk priti dot asnjë, dhe humbi gjuajtjen përcaktuese. Blutë e Londrës shënuan 3 gola, por që të gjithë ishin në pozicion jashtë loje. Edhe Liverpuli pati një rrjetë të eleminuar nga VAR-i. Të dyja skuadrat patën raste për të shënuar, por portierët Kelleher dhe Mendi thanë “ndal”. Në total, Liverpuli pati më shumë zotërim topi (55 për qind), më shumë gjuajtje (20-11) dhe më shumë gjuajtje në portë (6-4), po ashtu dominoi me kornet (11-2).

Kjo ishte kupa e 9-të e ligës për të kuqtë, duke u kthyer rekordmenë të vetëm, pasi u barazuan vjet nga Mançester Siti me nga 8. Aston Vila, Mançester Junajtid dhe Çelsi i ndjekin me nga 5 trofe. Në total, Liverpuli ka 64 trofe të mëdhenj kombëtarë dhe ndërkombëtarë, dy më pak sesa skuadra rekordmene në Angli, Mançester Junajtidi që ka 66.

Liverpuli (4-3-3): Kelleher, Aleksandër-Arnold, Matip (Konate 90’), Van Dajk, Robertson, Henderson (Eliot 79’), Fabinjo, Keita (Milner 80’), Salah, Mane (Zhota 80’), Luis Diaz (Origi 97’).

Sfidanti.al