Emocioni më i fortë ishte në stadiumin “Gudison Park”. Përpara nisjes së ndeshjes së Premier Ligës angleze, Everton-Mançester Siti, dy lojtarë ukrainas u përqafuan në fushën e lojës, duke krijuar ndjenja të forta dhe duartrokitje. Ata ishin Oleksandr Zinçenko i Sitit dhe Vitali Mikolenko i Evertonit. Ky ishte një kulm i mbështetjes së futbollit europian për Ukrainën, dhe popullin e saj, ndërsa vazhdon sulmi i armatosur rus. Lojtarët kishin hedhur në shpatulla flamurin ukrainas, ndërsa mesazhet ishin edhe në tribuna. Një mesazh edhe përpara ndeshjes Mançester Junajtid-Uatford, mesazh i dhënë nga lojtarët vendas dhe trajneri Rangnik.
Një minutë heshtje u mbajt edhe në stadiumet e Bundesligës. Në impiantin e Frankfurtit, në ekranin e madh u shkruajt “Putin, ndaloje”, ndërsa Ajntrahti dhe Bajerni i Mynihut kishin dalë në fushë. E njëjta atmosferë në 5 ndeshjet e tjera të elitës së futbollit gjerman, në Leverkusen, Mynshengladbah, Frajburg, Fyrt dhe Berlin.
Në La Ligën e Spanjës, gjithashtu u mbajt heshtje, ndërsa kanali i kampionatit në Jutub (Youtube) i shoqëroi ndeshjet me parullën “Jo luftës”. Në Angli, pronari i Çelsit të Londrës, Roman Abramoviç, vendosi t’ia kalonte drejtimin e klubit Trustit të Bamirësisë së klubit. Miliarderi rus tërhiqet për shkak të luftës në Ukrainë, dhe sanksioneve ndërkombëtare, që mund ta dëmtonin Çelsin.
Ndërkaq, Federata Botërore e Xhudos vendosi që t’ia hiqte presidentit rus, Vladimir Putin, titullin e presidentit të nderit. Putin njihet si praktikues i xhudos, i sambos dhe i karatesë, që në moshën 11-vjeçare dhe në vitin 2012 mori brezin e zi të gradës 8 dan. Një ditë më parë, Polonia lajmëroi se nuk do të luajë ndaj Rusisë në plej ofin e Kupës së Botës.
Sfidanti.al