Kejn tek Anglia si Kreshnik Tartari tek Dinamo në vitet 80-të!

Ndërsa afron koha për gjysmëfinalen e Europianit ndaj Danimarkës në “Uembli”, në mediat angleze del historia e një feste të organizuar nga kapiteni i kombëtares, Harri Kejn, bashkë me shokët e skuadrës dhe me yllin e muzikës, Ed Shirën (Sheeran). Kjo ndodhi pas ndeshjes me Çekinë, dhe në pritje për të mësuar emrin e kundërshtarit, që më pas doli të ishte Gjermania. Kejn solli në bazën e Anglisë, në 23 qershor, mikun e tij Shirën, kuptohet me lejen e trajnerit Sauthgejt, dhe aty lojtarët kënduan dhe dëgjuan këngët e tij, pinë ndonjë birrë. Sipas mediave, ky veprim i Kejnit dhe kjo festë bëri që lojtarët të lidheshin më shumë me njëri-tjetrin, tensioni të zvogëlohej, dhe ekipi të ishte gati për sfidën tepër të vështirë ndaj Gjermanisë. Kjo histori na kujton atë që bënte trajneri i Dinamosë së Tiranës në volejboll për femra, Kreshnik Tartari, që bashkë me ekipin shkonte çdo të hënë në kinema, pasi dilte filmi i ri. Jo vetëm kaq, por festoheshin së bashku ditëlindjet e të gjitha volejbollisteve, dhe në këtë mënyrë Dinamo u kthye në një familje.

Sfidanti.al