“Karamboli” europian erdhi siç e prisnim, vazhdojnë “vitet në shkretëtirë”!

Pati mundësinë më të mirë përballë një ekipi padyshim me më shumë emër e përvojë si Hapoel Ber Sheva, dhe ishte shumë pranë, por u dorëzua në fund. Vetëm Laçi i trajnerit Armando Cungu ishte më pranë kualifikimit në turin e dytë të Ligës së Europës, ndërsa për Teutën e Kukësin “nekrologjitë” ishin shkruar që më parë. Nëse kurbinasit u mundën 1-2 në “Elbasan Arena”, durrsakët e pësuan 0-4 në “Niko Dovana” ndaj Granadës së La Ligës, e kuksianët u mposhtën po 0-4 në “Arenën Air Albania” nga Volfsburgu i Bundesligës gjermane.

Jo, nuk është koha e 17 Nëntorit të Lym Allës që ia solli ngushtë Ajaksit të lavdishëm të Amsterdamit, as epoka e Partizanit që luftoi si i barabartë me Malmon, Sëlltikun e Austrinë e Vjenës, e Dinamos që përballoi pa u turpëruar Aberdinin e Aleks Fergusonit apo Sportingun e Lisbonës, siç nuk është koha e 17 Nëntorit që eleminoi Dinamon e Bukureshtit dhe Flamurtarit që mposhti Partizanin e Beogradit, Auenë gjermanolindore dhe bëri duel të lavdishëm dy herë me Barcelonën.

Edhe atëherë, diferenca në buxhet ishte e jashtëzakonshme, as nuk mund të bëhej krahasim, por përtej minuseve e komplekseve të pashmangshme, flitej për klube të ndërtuar që nga themelet e deri në “çati” e për një kampionat të fortë si kurrë ndonjëherë. Sot nuk kemi as paranë dhe as mjeshtërinë. Nëse Dinamo e Zagrebit mund të elemihet, por të krijojë lojtarë që transferohen për 20 milionë euro, në Shqipëri ka vetëm një dobësi organizative si prej mesjete. Vërtet u kalua turi i parë nga të treja skuadrat në Ligën e Europës, por “karamboli” i sotëm mund të ishte shmangur nëse do të kishte qenë koha e organizimit. Një organizim si ai i Hapoelit të Ber Shevasë, klubit izraelit që u ndesh me Laçin, që ishte bërë “copë e çikë” për 40 vjet, por që në 2016 ia doli të fitonte kampionatin në Izrael edhe pse me buxhet shumë më të vogël. Atëherë u tha se “Hapoeli kaloi 40 vjet, si hebrenjtë në shkretëtirë”, por nuk dihet sesa duhet të kalojnë klubet shqiptare që ta marrin veten.

Sfidanti.al