Karabaku dhe fusha do të tregojnë sot Partizanin e vërtetë të Championsit!

Historia e titullit është larg dhe tani kërkohet diçka tjetër. Partizani nis aventurën në Champions, me ndeshjen e parë të turit të parë që e luan në “Selman Stërmasi” ndaj kampiones së Azerbajxhanit, Karabak, në 17:30. Kryeqytetasit e Shqipërisë janë me shumë ndryshime në krahasim me sezonin e fundit, duke nisur nga stoli, e duke vazhduar në mbrojtje, mesfushë e sulm, pra dyshimet janë të mëdha.

Vetëm në përballjen me azerët do të shikohet sesa ia ka dalë trajneri Franko Lerda që të krijojë një skuadër të bashkuar, dhe që të luajë me filozofinë e tij. Problem i madh sidomos mbrojtja, ku në qendër të ka vetëm dy alternativa. Jo vetëm kaq, por nga 8 përforcimet e verës, vetëm dy do të jenë në formacion, pasi pjesa tjetër mbërriti vonë, e ndoshta mund të luajë paksa në pjesën e dytë.

Pritet shumë nga lojtarët e sulmit, si Asani, Mala e Bardhi, të cilët mund të jenë edhe nën vëmendjen e menaxherëve. Lerda pritet të luajë me skemën 4-3-3, dhe e papritura e parë e madhe e italianit është lënia e mundshme në stol e kapitenit të dytë, Lorenc Trashi.

Suksesi në Champions do të thotë edhe përfitim i madh financiar. Të kuqtë i kanë 1 milionë euro të garantuara vetëm nga pjesëmarrja, edhe në rast eleminimi, por nëse kualifikohen do të fitojnë edhe 620 mijë euro të tjera.

Karabaku ndërkaq ka më shumë besim se do t’ia dalë në dy ndeshje. Ish-skuadra e Ansi Agollit ka shumë përvojë ndërkombëtare, dhe është e mbushur me lojtarë të rëndësishëm që nga portieri Vagner, tek mbrojësit Mamadov e Hyseinov, deri tek të tjerët si Zubir, Miçel, Almeida apo Kintana.

Formacioni i mundshëm i Partizanit:

Hoxha – Ibrahimi, Bitri, Belica, Hakaj (Trashi) – Mala, Telushi, Melo – Asani, Çinari, Mensah.

Sfidanti.al