Kaos tek Paris SG, dy brazilianët e ardhur duan të bëjnë ligjin!

Kanë bërë xhiron e botës pamjet e ndeshjes Paris SG-Lion në ligën franceze, por jo më shumë për futbollin dhe rezultatin, sesa për një çast. Në momentin kur për PSG-në u dha një goditje dënimi, Edinson Kavani mori topin për ta gjuajtur, por menjëherë ndërhyri Dani Alvesh. Braziliani i ardhur nga Juventusi e mori sferën, por jo për ta gjuajtur vetë goditjen e dënimit. Ai ia kaloi atë Nejmarit. Skena nuk ishte e lehtë për t’u përballuar sidomos nga Kavani. Një futbollist që luan prej vitesh në ekip, dhe që është pranë rekordit të golave të Zllatan Ibrahimoviçit, u desh të dorëzohej përpara dy brazilianëve që sapo kanë ardhur. Populli thotë “u rrit kungulli, na zuri gardhin”! A do të ketë probleme skuadra miliardere franceze nga ky episod? Për ndeshjen ndaj Lionit nuk pati pasi fitoi 2-0 me dy autogola të miqve, ndonëse suksesi ishte shumë i vështirë.

Sfidanti.al