Një trofe më pak i mundshëm për t’u fituar (nëse do të kishte qenë e mundur të fitohej). Mançester Junajtidi po mësohet gjithnjë e më shumë me disfata dhe ajo e radhës ishte eleminimi nga Kupa e Anglisë. Ndeshja luhej në “Old Traford”, trajneri Rangnik kishte hedhur në fushë një ekip shumë të fortë me Varanin, Megajerin, Shoun, Pogbanë, Sançon, Mektominain, Bruno Fernandesin, Rashfordin e Ronaldon, por as kjo nuk bëri punë. Midëllsbrou u kualifikua pas gjuajtjes së penalltive, ndërsa 120 minuta lojë kishin përfunduar 1-1.
Ronaldo (në foto) humbi një penallti gjatë ndeshjes, kur shifrat ishin 0-0, pastaj Sanço kaloi “djajtë e kuq” në avantazh, por Kruks barazoi në 64’, veçse pati polemika për aksionin e rrjetës sepse Dankën Uatmori e preku topin me dorë. Junajtidi pati epërsi absolute, gjuajti 30 herë drejt portës (6 Boro) dhe 9 në kuadrat (3), kornet ishin 7-2, ndërsa zotërimi i topit 71%-29%! E gjitha kjo nuk vlejti për kënaqësinë e 9 000 tifozëve miq. Penalltitë përfunduan 8-7 për Midëllsbroun, me Elangën që gaboi për vendasit. “Goli i barazimit i Boros ishte i parregullt, por gjithsesi ishte faji ynë që u eleminuam, – tha trajneri Rangnik, – duhej të kishim qenë 3-0 në pjesën e parë. Humbëm shumë raste, duhej të kishim fituar në 90’ minuta, sepse penalltive nuk i dihet”. Junajtidi është jashtë Kupës së Anglisë, jashtë Kupës së Ligës (Karabao) dhe jashtë pretendimeve për titull, ndërsa është në raundin e dytë të Championsit.
Sfidanti.al