Nëse do të fitohej, Milani do të frymëzohej me një besim të madh, dhe për momentin do të ishte vetëm 1 pikë prapa kampionëve. Stefano Pioli e di sesa i rëndësishëm është ky derbi për skuadrën e tij, ndonëse e gjen në moment të papërshtatshëm kur vjen puna për alternativat. Edhe pse kuqezinjtë janë në moment të mirë, që pas fitores në Empoli, sërish mungesat janë problem. Ibra është jashtë, po ashtu Rebiç, Kalulu, ndërsa Kjer as nuk bëhet fjalë të luajë. Qendërmbrojtësi anglez i ardhur nga Çelsi, Tomori, do të jetë në stol. Këto i thotë Pioli, që flet me shumë kujdes dhe qetësi për sfidën e sotme në “San Siro”. “Një derbi që peshon shumë, – thotë, – fitorja do të na jepte shumë besim. Ibra nuk luan, por jemi të fortë edhe pa të. Jemi duke luftuar për pjesën më të lartë të renditjes, për kreun. Duhet të jemi konkurrues. Me Juven patëm vendosmëri dhe cilësi, por nuk ia dolëm në 5 metrat e fundit. Këtë herë shpresoj të jetë ndryshe”.
Sfidanti.al