Nuk njeh ndalesë dhe fitoret rreshtohen pa ndërprerje. Liverpuli fitoi 2-0 ndaj Uatfordit dhe vazhdoi marshimin drejt titullit në Premier Ligë, veçse kjo ndodhi në një ndeshje të çuditshme në “Anfild”. U desh klasi i Mohamed Salahut, por edhe fati që të shmangej një e papritur e hidhur, me Uatfordin që shpërdoroi shumë. Ndihmuar edhe nga era e fortë, miqtë rrezikuan seriozisht portën e Alisonit, që falenderoi edhe shtyllën, por pati edhe vetë meritë të madhe që shmangu golat.
Përse kaq e vështirë për të besuarit e trajnerit Klop, që këtë kundërshtar e kishin mundur shumë lehtë në ndeshjet e fundit? Padyshim u ndje lodhja e Ligës së Kampionëve, ndikon kalendari tepër i ngjeshur, por edhe fakti se është vështirë të mbash përqëndrimin maksimal kur arrin kaq shumë fitore. Në 17 javë kampionat, Liverpuli ka vetëm 1 barazim dhe asnjë humbje.
Triumfi u bë i sigurt vetëm në minutën e fundit kur Salah realizoi golin më të bukur të kohëve të fundit, një rrjetë që do të pretendojë për të qenë më e mira e gjithë sezonit. Me këtë fitore, të kuqtë kanë 49 pikë, dhe nisen më të qetë drejt Lindjes së Mesme ku do të synojnë të fitojnë Kupën e Botës për klubet.
Sfidanti.al