Juvja rrezikon të mbetet pa trofe, Alegri është i sulmuari numër 1

Njëri nga njerëzit e FIAT-it, ish-presidenti Lapo Elkan, paska botuar një mesazh në rrjetet sociale i cili paska krijuar polemika. Me gjasë, nuk ka qenë shumë miqësor me trajnerin Masimiliano Alegri, i cili po kritikohet gjithnjë e më shumë pas një sezoni të vështirë dhe të pasuksesshëm të Juventusit. Vetë Alegri komentoi pa konfliktualitet deklaratën e Elkanit, duke thënë se “ai është një nga tifozët tanë kryesorë, dhe mesazhi ishte i shkruar me dashuri”. Gjithsesi, edhe mediat italiane dhe një pjesë e tifozëve po mendojnë se tekniku mund të mos jetë zgjidhja e problemeve, dhe kjo sepse futbolli i tij nuk është spektakolar, nuk është sulmues. Dikur, presidenti i Kaljarit Çelino, thoshte për Alegrin se “ai është si personazhi i “Shkretëtirës së Tartarëve””. Kjo do të thotë që e pret armikun dhe nuk e sulmon atë. Juvja ka sot shansin e fundit për trofe këtë sezon, pasi luan gjysmëfinalen ndaj Fiorentinës në Kupën e Italisë. Seria A është e humbur, Championsi ka mbetur larg dhe Superkupa u humb ndaj Interit.

Sfidanti.al