Finalja mund të quhej e pritshme, por të mbërrihej nuk ishte aspak e lehtë. Në përfundim, dy skuadra të Kosovës do të luajnë në finalen e madhe të Ligës Unike në basketboll për meshkuj, dhe ato janë Golden Igëll Ylli e Peja. Ky ishte përfundimi i dy gjysmëfinaleve tepër të forta në Pallatin e Sportit të Pejës. Golden Igëll Ylli nga Theranda, kampionia në fuqi e Ligës Unike, ia doli në një përplasje të fortë ndaj Teutës së Durrësit me shifrat 84-82. Tmusiç ishte më i miri për fituesit me 23 pikë, Kastrati pati 22 dhe kroati Henrik Shirko shtoi 17 pikë. Teuta ishte përfaqësuesja e vetme e Shqipërisë në katërshen finale, e për të u dalluan amerikani Kor me 23 pikë, si dhe Lilaj e Peterson me nga 13. Gjysmëfinalja tjetër ishte gjithashtu shumë e fortë, mes Pejës dhe Prizrenit, duke përfunduar 98-94. Fati i ndeshjes u vendos në periudhën e katërt, kur vendasit përmbysën rezultatin, kur ishin 7 pikë prapa. Amerikani Fells ishte më i miri për pejanët me 31 pikë, Dardan Berisha pati 24 pikë dhe Maksuell 17.
Sfidanti.al